“Më lanë pasi menduan se vdiqa” – Elton Tozaj flet për herë të parë pas dhunës brutale

Gazetari Elton Tozaj është shfaqur për herë të parë publikisht pas dhunës brutale që pësoi disa ditë më parë.

Gjatë një interviste ai denoncoi se dhuna i erdhi pasi ai publikoi disa video që vërtetonin se një vajzë e njohur e televizionit ishte në lidhje me një personazh të botës së krimit. Ai tregoi se u takua me dy persona që i njihte por pa e ditur se do të dhunohej. Ai tha se nuk mban mend asgjë, pasi ka humbur ndjenjat nga dhuna. Ai tashmë rrezikon të humbasë shikimin, pasi dhunuesit e kanë goditur në pjesën e fytyrës.

“Ngjarja ka ndodhur 12 ditë më parë, në një emision mëngjesi ku unë merrem me lajmet e showbiz, deklarova që një vajzë kishte një lidhje me personazh nga bota e krimit, kam paraqitur dhe videot. Fill pas kësaj, një ditë më pas nuk kanë ndaluar kërcënimet për të fshirë videon dhe unë e fshiva videon. Por kërcënimet vazhduan, më thanë ‘do të të tërheq zvarrë’, ‘do të të vras’. U kontaktova nga dy persona që i njihja, i kisha takuar vetëm një herë. Lashë takim pa e ditur ç’më priste. Kur i takova nuk mbaj mend asgjë, përveç dhunës, përfundova i dhunuar në rrugë i bërë copë. Humba ndjenjat, do më kenë lënë se kanë menduar që isha i vdekur. Më goditën vetëm në fytyrë. Njerëzve u kërkoja ndihmë por askush nuk afrohej dhe rrinin të tmerruar. Nuk kam bërë denoncim, pres të kem një kontakt nga prokuroria, kam patur tentativë të bëj denoncim por më herët e kanë marrë lajmin të denoncuarit se sa prokuroria. Kam frikë për jetën time, sepse u dhunova për një lajm. Ndihmën e parë e kam marrë nga dy djem që ishin në këmbë në atë zonë. U kërkova ndihmë për një telefonatë dhe ata pastaj më ndihmuan shumë, i falënderoj publikisht. Sytë i kam të operuar, nesër do shoh nëse mund të bëhet rikuperim, nga njëri nuk shoh mirë. Nesër do e kuptoj nëse të ketë rikuperim. Sytë kanë hematomë, janë komplet të zinj nga brenda.”– tha ai.