Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, nuk e përjashtoi kandidimin për kryetar të partisë, por tha se për momentin është më i prirë të mos kandidojë. Në një intervistë për KosovaPress, ai tha se partia ka nevojë për ndryshime në mënyrën e zgjedhjes së kryetarit.
“Kam pasur kërkesa të ndryshme nga qytetarë dhe bashkëpartiakë që t’i hyj garës, por deri tash s’kam ndonjë vendim që t’i hyj garës personalisht. Unë i konsultoj miqtë, shokët, dashamirët. Njeriu, nëse hyn në politikë dhe s’ka ambicie politike, qoftë edhe në pozitën e kryetarit, atëherë nuk është mirë të vazhdojë as në politikë. Është mirë që kemi ambicie nga anëtarët që tashmë kanë deklaruar kandidimin e tyre për kryetar”, tha ai.
I pyetur për një kandidim të mundshëm të babait të tij, Sami Lushtakut, deputeti tha se ai do të hynte në garë nëse do të synonte drejtimin e partisë.
“Personat që kanë një autoritet publik përtej PDK-së, pasi dihet se ai ka qenë ndër themeluesit e UÇK-së bashkë me Adem Jasharin dhe të tjerë. Autoriteti është mbi partiak, sipas mendimit tim, dhe gjithmonë të tjerët kanë pretenduar se ka një ndikim më të madh sesa vetë kryetari. Kjo asnjëherë nuk ka qëndruar. Ka qenë krahu i djathtë i Hashim Thaçit me krenari dhe ka qenë krahu i djathtë i secilit kryetar kur ka pasur nevojë për mbështetje elektorale”, shtoi Lushtaku.
PDK-ja shpalli zgjedhjet e brendshme pas dorëheqjes së Bedri Hamzës. Partia drejtohet përkohësisht nga Vlora Çitaku.