Në një rrëfim për Front Online, djali i heroit Afrim Bunjaku, ka rrëfyer momentet e fundit me babain e tij.
“Një ditë para ngjarjes, me datën 23 shtator, e dërgova për në punë me veturën tonë personale nga fshati ku jetojmë, fshati Samadrexhë, deri te pompa e derivateve Elan Petrol- Pestovë, ku isha edhe i punësuar. Pastaj vazhdoi rrugën me veturën e kolegëve të tij për në stacionin në Vushtrri dhe për të vazhduar rrugën me veturën zyrtare për në veri”, shpjegoi Bunjaku.
“Gjatë rrugës për në punë, sikur e ndjente që do të ishte takimi i fundit gjatë gjithë rrugës duke më folur dhe këshilluar”, rrëfeu Jetlum Bunjaku.
Jetlumi ka rrëfyer momentin e lajmit që babai i tij ra dëshmor.
“Ditën tjetër pritja që t’ia dorëzoja veturën dhe të filloja orarin e punës në pompën ku punoja, në orën 7:30 të mëngjesit. Dëgjova një zhurmë jashtë shtëpisë, shtëpia ishte e rrethuar me polici dhe familjarë. Aty mora lajmin se babai im ra dëshmor”, ka thënë Bunjaku.