Momenti prekës kur dy vajzat e Kreshnik Tomanit e fillojnë shkollën pa prezencën e babait të tyre

Nikita dhe Fjonisa, vajzat e Kreshnik Tomanit, 35-vjeçarit që humbi jetën më 24 gusht pasi u përplas për vdekje me makinë nga një 17-vjeçar, nisën këtë vit shkollën pa praninë e të atit.

Të kapura për dore nga nëna Kristina, e cila mbante me vete edhe foshnjën 9-muajshe, dy vajzat iu bashkuan fëmijëve të tjerë në shkollën e mesme artistike “Jakov Xoxa”.

Humbja e babait, i cili ëndërronte të shkollonte vajzat dhe të shihte Nikitën të bëhej këngëtare, i dha ngjyrë gri këtij momenti të veçantë.

Rreth 13 mijë nxënës u rikthyen këtë vit në shkollë në qarkun e Fierit, ndërsa 900 fëmijë u ulën për herë të parë në banka. Megjithatë, disa zona shënuan ulje të numrit të nxënësve krahasuar me vitin e kaluar, përfshirë Patosin (-110 nxënës), Roskovecin (-50 nxënës) dhe Mallakastrën, ku klasat e para u plotësuan me 64 nxënës nga 93.

Shkolla 9-vjeçare “Jorgo Sopiku” në Luar është shndërruar këtë vit në shkollë vartëse, duke reflektuar problematika të vazhdueshme demografike në disa zona.