E ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, është takuar sot me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.
Në njoftimin e lëshuar nga Ambasada thuhet se Prattipati ka theksuar nevojën urgjente që liderët politikë të marrin përgjegjësinë dhe të punojnë bashkë për ta zgjidhur ngërçin institucional.
“Ajo theksoi se një demokraci funksionale kërkon që të gjithë qytetarët të kenë mundësinë të zgjedhin lirisht përfaqësuesit e tyre. Bllokimi i partive politike legjitime, qoftë përmes taktikave politike ose pengesave procedurale, rrezikon integritetin e procesit demokratik. Prattipati u bëri thirrje të gjithë liderëve që tejkalojnë ndasitë dhe të përmbushin mandatin që iu është besuar nga populli i Kosovës”, thuhet në postimin e ambasadës.
Prattipati dje ka zhvilluar takime edhe me liderët e partive tjera. /IndeksOnline/