Kjo e martë, 18 nëntor, shënon një vit nga ndarja nga jeta e të miturit Martin Cani, i cili u vra pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” nga bashkëmoshatari i tij me thikë.
Tronditja e këtij rasti ka lënë gjurmë të thellë në komunitetin shkollor dhe në gjithë opinionin publik.
Në një deklaratë për mediat, nëna e Martinit tha se djali i saj nuk e meritonte të ikte ashtu nga kjo jetë dhe se do të apelojë çdo vendim lidhur me autorin e krimit. Ajo përshkroi dhimbjen e saj dhe kërkoi drejtësi për humbjen e pakompensueshme të të birit.
“Falenderoj shqiptarët për mbështetjen, Iku në mënyrën më mizore nga kjo botë. Nuk e meritonte, shoku iu bë armik dhe i mori jetën. Nuk duhet të heshtim, heshtja vret. Martini ishte futbollist, i dashur, i ëmbël. Nuk meritonte ikte në atë lloj mënyrë, iu lutem institucioneve, të marrin masa dhe të mos neglizhojnë situata të tjera, askush të mos ketë fatin e Martinit. Do jem këtu dhe do ngre zërin për fëmijën tim. Meritonte një stol në shkollë me emrin tij, apo dhe emrin e palestrës, e meritonte”-u shpreh nëna.
Një ditë më parë, Prokuroria kërkoi dënim me 25 vite burg për Marjo Perlleshajn, megjithëse mund të aplikohet kodi penal për të mitur.
Rasti i Martinit ka rikthyer në vëmendje debatet mbi sigurinë në shkolla dhe përgjegjësitë e institucioneve për të parandaluar tragjedi të ngjashme në të ardhmen.