Pak ditë para ndeshjes historike me Shqipërinë, FIFA merr vendimin e ashpër ndaj Serbisë

Pak ditë para ndeshjes së rëndësishme mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila do të luhet më 11 tetor në Leskovac, FIFA ka marrë një vendim të ashpër ndaj Federatës Serbe të Futbollit (FSS).

Ky dënim vjen pas incidenteve të shkaktuara nga tifozët serbë në ndeshjen e fundit, Serbi-Angli.

Për shkak të dështimit në sigurimin e rendit dhe disiplinës brenda stadiumit, FIFA ka urdhëruar mbylljen e 20% të kapacitetit të stadiumit të Leskovacit për ndeshjen ndaj Shqipërisë. Kjo masë është shoqëruar edhe me një gjobë prej 80 mijë frangash zvicerane.

Sipas raportit, Federata është dënuar për përdorimin e lëndëve piroteknike, gjesteve dhe fjalëve të papërshtatshme, si dhe sjelljen diskriminuese të tifozëve. Stadiumi i Leskovacit ka një kapacitet prej 8136 vendesh, por 20% e tyre do të mbeten bosh.

Federata Serbe ka njoftuar se do të marrë masa në përputhje me këtë vendim, me qëllim shmangien e incidenteve në të ardhmen.