Përgjigja e vëllait të Liridonës ndaj pyetjes së Naimit ‘dridh’ sallën e gjyqit

Po vazhdon gjykimi për vrasjen makabre të Liridona Ademajt.

Në seancën që është ende duke u mbajtur, Naim Murseli është përballur me dëshmitarët, përfshirë kunatin e tij, Leonardin.

Një moment i pazakontë ndodhi kur Naimi, i akuzuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, iu drejtua vetë Leonardit me pyetjen:

“E kam një pyetje për Leonardin. Për 13 vjet martesë, a është ankuar ndonjëherë motra jote për mua apo për raportin tonë?”

Leonardi u përgjigj:

“Jo, nuk është ankuar… përveçse disa muaj para se të ndodhte ngjarja. Ishte prekur shumë nga një aferë tradhtie e Naimit me një të afërm. Por ajo vetë e kishte zgjidhur dhe ne nuk e kemi kundërshtuar.”

Në fund të pyetjeve, Naim Murseli iu referua dy motiveve të përmendura në aktakuzë dhe e pyeti Ademajn se cilin e beson si më të mundshëm.

“Në aktakuzë prokurorja përmend dy motive: njëra që ka të bëjë me financa dhe kinse me sigurim jetësor – që nuk dihet asgjë për atë sigurim jetësor se si janë kushtet. Motivi tjetër që thuhet është kinse Liridona më ka tradhtuar. Cilin motiv e beson Leonard Ademaj?”, pyeti Murseli.

Ademaj u përgjigj: “Motivin kinse Liridona të ka tradhtuar e ke thënë ti vetë, nuk e ka thënë ajo. Për sigurimin, ti e di më mirë, se ia ke bërë asaj, jo vetes. Po ashtu e di mirë kur i ke thënë babit në shtëpi që ‘ja kam bë një sigurim Liridonës se nëse e gjen diçka, përfitojmë shumë dhe fëmijët sigurohen’. Përveç versionit të tradhtisë, të dy versioneve të tjera u besoj plotësisht”, përcjell Insajderi.

Deklarata hodhi dritë mbi një episod të errët të martesës së çiftit, që, sipas dëshmisë, kishte lënë gjurmë emocionale tek viktima – vetëm pak muaj para krimit tragjik.

/Prive By Liberta Spahiu.