Drejtuesit dhe ekipi i Partisë Socialiste të Tiranës ka trokitur gotat në prag të ndërrimit të viteve, në një ceremoni të zhvilluar mbrëmjen e djeshme të Pallati i Brigadave, me praninë edhe të vetë kryeministrit Edi Rama.
Mirëpo, nëse për disa ka qenë festë, për të tjerët e djeshmja ishte një braktisje e “anijes socialiste”, e cila ndodhet në momentet e saj më të vështira për shkak të goditjeve të figurave më të larta të saj nga institucionet e drejtësisë, raporton newsbomb.al.
Drejtuesit e Tiranës dhe Kombinatit janë kujdesur që të shpërndajnë pamje nga ceremonia pompoze në Pallatin e Brigadave, duke uruar suksese mes veti për objektivat e 2026, mirëpo vëmendjen e kanë marrë pikërisht ata që nuk ishin në festë.
Dhe nuk janë pak. As të papërfillshëm!
Bëhet fjalë për “skalionin” e vjetër të Partisë Socialiste, të cilët kanë zgjedhur të mos i bashkohen trokitjes së gotave për fundvit, duke përforcuar zërat se situata në kampin socialist nuk është aq e qetë sa prezantohet.
Me aq sa newsbomb.al ka mundur të identifikojë nga pamjet që kanë ndarë vetë drejtuesit e ekipit socialist të Tiranës, në Pallatin e Brigadave nuk kanë shkuar Pandeli Majko, Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Arben Pëllumbi, Ermonela Felaj, Etjen Xhafaj, Mimi Kodheli dhe Plarent Ndreca.
Veç situatës së krijuar nga goditjet e Prokurorisë së Posaçme, Partia Socialiste e Tiranës ndodhet në situatë të vështirë edhe për shkak të tentativës së një pjese të partisë për të larguar nga drejtimi i bashkisë kryetarin Erion Veliaj.
Ndërkohë, përsa u përket të pranishmëve, atje kanë qenë pothuajse të gjithë anëtarët e kabinetit, dy nga bashkëdrejtuesit e qarkut, Blendi Gonxhe dhe Ogerta Manastirliu, zëvendësministri Xhemal Qefalia, Halit Valteri dhe pjesa më e madhe e rishtarëve në strukturat e ekipit socialist të kryeqytetit.