Pse e ha gjithmonë i miri? Biseda e Erion Veliajt duke qarë me Iot me gruan: Kam veç një shpresë

Ditën e sotme janë zbardhur detaje të tjera nga dëshmia e policit të burgjeve i cili u mor i pandehur pasi i dha telefonin e tij kryebashkiakut Erion Veliaj për të realizuar disa telefonata private.

Gjatë dëshmisë së tij Fatjon Baci ka treguar para hetuesve të SPAK se ia ka dhënë celularin Veliajt në dy momente të ndryshme, përpara dhe pas seancës gjyqësore gjatë kohës që ishin rrugës në furgonin e policisë.

Sipas tij, e bëri për shkak të presionit dhe frikës që ndjente nga figura publike e të arrestuarit.

Telefonatat janë bërë në një moment kur Veliaj ndodhej në shoqërimin e policisë, pas vendimit të njohjes me akuzat ndaj tij. Baci tregon se ngjarja ndodhi në një zonë pranë sheshit ku dikur zhvillohej një treg i sendeve të përdorura.

“Sa kemi kaluar shinat, në vendin ku ka qenë një pazar që shiteshin gjëra të vjetra, Erioni më kërkoi telefonin që të bënte një telefonatë. Ia dhashë, dhe foli me vëllain e tij. Këtë e verifikova më vonë,” – tha Baci.

Me tej ai tregon se telefonata e dytë ishte me bashkëshorten Ajola Xoxa, sipas rrëfimit një telefonatë shumë emocionale ku Veliaj po qante.

“Nuk i mbaj mend detajet e tjera, por di që ka bërë dhe një telefonatë tjetër me bashkëshorten e tij, ku i tha që të kujdesej për djalin dhe unë dëgjova Erionin që po qante. I thoshte që nuk është e drejtë që djali të rritet vetëm, nuk i kam bërë keq njeriu, nuk ka të mirë për të mirin”, tha ai.

Gjithashtu Baci tha se në një nga bisedat ka dëgjuar që ai po fliste për një plan që të bëhej deputet e në këtë mënyrë do të mund të shpëtonte nga burgu. Këtu kryebashkiaku ka përmendur edhe kolegë të tij si Tërmet Peçi e Agron Malaj, të cilët hoqën dorë nga detyra e kryetarit të bashkisë, përkatësisht në Tepelenë dhe Mat, për karrigen e deputetit. Për Veliajn, kjo ka qenë strategji e të dyve “për t’i shpëtuar SPAK-ut”.

“Nuk e mbaj mend fiks se me kë, për shkak se edhe unë jam i ngarkuar, por Erioni i ka thënë bashkëshortes ose vëllait se: “Të sakrifikonin një nga studentët për deputet, sikur të ishin sëmurë apo nuk ndiheshin mirë nga gjendja shëndetësore, dhe që të futej Erioni si kandidat për deputet, që t’i shpëtonte burgut”. Këtë gjë e thoshte se është Plani B, plani i vetëm për të shpëtuar.

Ai mbaj mend se më ka thënë se edhe disa kryebashkiakë të tjerë si Tërmet Peci apo një me mbiemër Malaj, po bëhen deputetë që t’i shpëtojnë SPAK-ut. Po kështu, Erioni gjatë bisedës me gruan ose vëllain, thoshte se Ulsiun e ka nxjerrë ai deputet nga Paskuqani ose Lapraka, por nuk e dinte që mbante anën e SPAK-ut, i thoshte Erioni se Ulsiun e dinte që e kishte mik. Pasi mbaroi bisedat telefonike, Erioni më kërkoi që të lexonte lajmet”, – thuhet në dëshminë e gardianit të burgut, Fatjon Baci.

Erion Veliaj është marrë zyrtarisht i pandehur për akuzat e “korrupsionit”, “pastrimit të parave”, “fshehjes së pasurive” dhe “futje të sendeve të ndaluara në ambientet e vuajtjes së dënimit”.

Akuzat iu komunikuan ditën e djeshme në paraburgimin e Durrësit ku mbahet me urdhër të SPAK prej 10 shkurtit.