Pse nuk u arrestua Liam Osmani në Rinas? Zyrtari i poIicisë tregon arsyen befasuese

Policia e Tiranës arrestoi të dielën Liam Osmanin, teksa ky i fundit ishte brenda shtëpisë së “Big Brother”, që prej mbrëmjes së të shtunës.

Sipas njoftimit zyrtar ai është ndaluar në shtëpinë e “BBV”, pasi me një vendim gjykate të vitit 2022 Osmani është dënuar me 2 vite e 6 muaj burg për veprën penale të mashtrimit. Sipas bluve, në vitin 2019, nëpërmjet mashtrimit, ai ka përvetësuar 17 bileta turistike për në Gjermani, për të cilat nuk ka kryer pagesat përkatëse.

“Strukturat e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin bënë ndalimin e shtetasit Liam Osmani, 44 vjeç, teksa ai ndodhej në shtëpinë e Big Brother Albania Vip 3. Prokuroria e Tiranës, më datë 09.05.2022, ka dërguar urdhërin për ekzekutimin e vendimit penal të datës 23.02.2022, për dënimin e këtij shtetasi me 2 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale ‘Mashtrimi’. Ky shtetas, në vitin 2019, nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar 17 bileta turistike për në Gjermani, për të cilat nuk ka kryer pagesat përkatëse”, thuhej në njoftim e policisë.

Arrestimi brenda shtëpisë së “Big Brother” ngriti pikëpyetje se si arriti Osmani të kalonte lirshëm në Rinas, teksa ishte shpallur në kërkim policor.

Alket Shtaro, zyrtar i Policisë, tha në emisionin “Top Story”, se Osmani nuk është ndaluar në pikën kufitare të Rinasit, pasi sistemi elektronik “nuk gjeneroi alert”. Për këtë, tha se ka nisur një hetim administrativ.

Ai sqaroi se pas vendimit të gjykatës që ka marrë formë të prerë pasi nuk është apeluar, Osmani ishte shpallur në kërkim kombëtar, ndërsa shtoi se në momentin kur ka hyrë në Shqipëri, muajin e kaluar, ai ka paraqitur një pasaportë gjermane të rregullt teksa rezulton se ka hequr dorë nga kombësia shqiptare.

“Për herë të parë në hyrje, ka përdorur një pasaportë gjermane”, theksoi Shtaro.

I pyetur pse nuk është shpallur në kërkim ndërkombëtare, zyrtari i policisë sqaroi se shpallja në kërkim ndërkombëtar “është në diskrecion të prokurorit të çështjes”.

Lidhur me arrestimin brenda shtëpisë, Shtaro tha se “në momentin kur (Osmani) ka hyrë në Big Brother kemi marrë informacione nga burime policore”.

Në studio u paraqit dhe një faksimile e vendimit të gjykatës së Tiranës që mban datën 23.2.2022.

Avokati i Osmani tha në studio se klienti i tij e ka lënë shtetësinë shqiptare me vullnetin e tij në 9 shtator 2019, ndërkohë që vendimi i gjykatës, dhënë dy vite më vonë, e përcakton shtetas shqiptar.

Ai shtoi se vendimi duhet rishikuar pasi gjithë procesi është zhvilluar në mungesë, ndërsa procedurat e ndjekura nga gjykata janë ato për një shtetas shqiptar dhe jo për një shtetas të huaj siç është me të vërtetë Osmani.

Avokati shtoi se klienti i tij nuk ka marrë asnjë njoftim për çështjen pasi ai nuk rezultonte banues në adresën që gjykata mund të ketë dërguar njoftimet në Shqipëri.