Rama i çon MESAZH opozitës së Kosovës, tregon rolin personal të Vjosa Osmanit ndërkombëtarisht

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanin, për marrjen e ftesës për të qenë bashkë-themeluese e Bordit të Paqes, të iniciuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Në një postim në X, Rama e uroi Osmanin për ftesën, duke thënë se është gjest i Trumpit që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës me popullin shqiptar.

Në gjykimin e Ramës, kjo po ashtu jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë, shkruan IndeksOnline.

Por, në mënyrë të tërthortë, ai apeloi tek opozoita që ta çmojë këtë “dorë të shtrirë nga presidenti i SHBA-së” nëpërmjet Vjosa Osmanit, duke ua bërë me dije se ajo duhet votuar edhe për një mandat.

“Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga presidenti i SHBA-së, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e për rolin tënd ndërkombëtarisht”, shkroi Rama.

Bordi i Paqes, i iniciuar nga Trump, synon të arrijë paqen afatgjatë në Lindjen e Mesme. Trump ka nisur t’i ftojë shtetet që të bëhen anëtare të këtij bordi, sakaq Kosovën dhe Shqipërinë i ka ftuar si anëtare themeluese, krahas SHBA-së./IndeksOnline/