Ministri në detyrë për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, i njohur si një nga aleatët më të afërt të Albin Kurtit nga komuniteti serb, ka reaguar ndaj pezullimit të dialogut strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e quajtur këtë vendim si një ndër sinjalet më serioze që ka dhënë Uashingtoni deri më tani.
Në një intervistë Rashiq tregoi se vetëm dy ditë para se të merrej ky vendim, ai ishte takuar me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën Amerikane, Annu Prattipati, gjatë një pritjeje diplomatike. Sipas tij, ajo kishte dhënë një paralajmërim të tërthortë se një veprim i tillë mund të ndodhte.
Ai tha se problemi nuk qëndron tek raportet e qeverisë Kurti me komunitetin serb, por më shumë tek kritikat e përsëritura të kryeministrit dhe subjektit të tij politik ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Ai theksoi se nuk sheh ndonjë lidhje direkte mes vendimit të SHBA-së dhe qëndrimit të qeverisë ndaj komunitetit serb në Kosovë.
“Sinqerisht, nuk mendoj se kjo ishte arsyeja e pezullimit,” u shpreh ai.