Reagon për herë të parë ISH-VJEHRRA e Xhuana Nikollajt pasi familja e saj hodhi akuza të rënda për të

Ngjarja e rëndë e ndodhur një javë më parë, ku 25-vjeçarja Xhuana Nikollaj humbi jetën, ka tronditur thellë opinionin publik.

Sipas dyshimeve paraprake dhe deklarimeve të familjarëve, e reja dyshohet se i dha fund jetës si pasojë e dhunës së vazhdueshme që, sipas tyre, ushtronte ndaj saj ish-bashkëshorti, Eraldo Fizi. Të afërmit e viktimës kanë bërë akuza të forta publike, duke theksuar se marrëdhënia mes çiftit ishte e tensionuar prej kohësh dhe se dhuna kishte qenë një nga arsyet kryesore që çoi në divorcin e tyre.

Familjarët shprehen se Xhuana kishte përjetuar presion dhe abuzim të vazhdueshëm gjatë kohës që jetonte me ish-partnerin, ndërsa pretendojnë se në disa raste ajo ishte dhunuar edhe nga ish-vjehrra e saj, gjë që sipas tyre e kishte rënduar më tej gjendjen emocionale të 25-vjeçares.

Në lidhje me këto akuza, ka reaguar edhe nëna e Eraldo Fizit, e cila në një prononcim të shkurtër për mediat, u shpreh se heshtja e saj vjen si formë respekti ndaj të ndjerës.

“Më vjen keq, por nuk mund të flas. Nuk mund të flas sepse dua të respektoj të ndjerën që është atje ku nuk duhet të ishte”, është shprehur ajo.

Ndërkohë, zhvillimet ligjore vijojnë. Pas kallëzimit të bërë nga familjarët e Xhuana Nikollajt në Komisariatin nr. 2 në Tiranë, autoritetet kanë shpallur në kërkim ish-bashkëshortin e saj, Eraldo Fizi, i cili rezulton ende në arrati.