Është zyrtarizuar ndryshimi i vendit të zhvillimit të ndeshjes Serbi-Shqipëri. Ndeshja, e planifikuar fillimisht në stadiumin “Rajko Mitić” në Beograd me një kapacitet prej 52.000 vendesh, do të luhet në stadiumin më të vogël “Doçica” në Leskovac, me një kapacitet prej vetëm 8.000 vendesh.
Kërkesa për ndryshimin e stadiumit erdhi nga Federata Serbe e Futbollit dhe ka marrë miratimin si nga UEFA, ashtu edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit. Arsyeja kryesore pas këtij vendimi besohet se është dëshira për të shmangur incidentet e dhunshme, pas ngjarjeve të fundit në ndeshjen kundër Anglisë.
Si pasojë e atyre ngjarjeve, Serbia pritet të marrë një dënim të rëndë nga UEFA, duke përfshirë një gjobë të lartë dhe zhvillimin e ndeshjes së ardhshme pa praninë e tifozëve. Duket se frika nga përsëritja e skenave të dhunshme, si dhe pamundësia për të kontrolluar huliganët, kanë shtyrë vetë organizatorët serbë të zgjedhin një stadium më të vogël dhe më larg qendrave të populluara, me shpresën se do të mund të kontrollojnë më mirë situatën.