Kaosit politik në Serbi me sa duket i shtohet si qershia mbi tortw ndeshja kundër Shqipërisë e vlefshme për Eliminatoret e Botërorit, e planifikuar më 11 tetor. Në ndeshjen e fundit në “Marakana” përballë Anglisë ku vendasit u shkatërruan 5-0, gjërat janë përkeqësuar më tepër, jo vetëm në aspektin sportive por me sa duket edhe atë politik pasi në stadium veç thirrjeve raciste kundër Kosovës, kanë qenë të pandalshme edhe ato anti-Vuçiç.
Janë këto të fundit dhe frika e kaosit të pakontrollueshëm që me sa duket detyruan presidentin serb, sipas mediave vendase t’i kërkonte Federatës së Futbollit të Serbisë që të bënte një ndryshim të stadiumit për ndeshjen pasardhëse që është ajo me Shqipërinë. Po sipas tyre, ky spostim lidhet me kontrollimin dhe mbajtjen e situatës më lehtë nën kontroll në një stadium me 8000 vende siç është ai i Leskovacit ku do të luhet ndeshja se sa ai me 52 mijë vende në Beograd. Presidenti i Serbisë është shprehur në emsione sportive në Serbi shumë ashpër kundër federatës së futbollit serbe.
“Dhe e thashë këtë në momentin që ndodhi, për të mos luajtur me Anglinë në Beograd se gjërat nuk do të shkonin mire, por nuk më dëgjuan. Tani thonë, bëmë një gabim, duam të luajmë kundër Shqipërisë në Leskovac. Dhe sigurisht, do të jetë atmosfera më e mirë e mundshme. Ndoshta do të humbasim, ndoshta do të fitojmë, por do të jetë atmosfera më e mirë e mundshme, nëse na lejojnë të kemi një tifoz, pasi ende pritet vendimi i UEFA-s pas ngjarjeve ndaj Anglisë. Por nëse gjithçka lejohet, do të ketë një atmosferë të mrekullueshme në Leskovac. Të paktën njerëzit do të brohorasin për Serbinë. Me gjithë forcën dhe me gjithë zemrën e tyre”, u shpreh presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Edhe pse ende UEFA nuk e ka nxjerrë njoftimin zyrtar, nga Federata Shqiptare e Futbollit është mësuar nga Top Channel se është dhënë miratimi për ndryshimin e stadiumit të kësaj ndeshjeje. Kujtojmë që për të dyja ekipet kjo është ndeshja kyçe për objektivin e kualifikimit në kampionatin Botëror të 2026-s. Aktualisht Shqipëria është në vendin e dytë një pike mbi Serbinë e cila ka një ndeshje më pak se ne.