Një vajzë 13-vjeçare humbi jetën të hënën, më 16 nëntor, në Sejlauf, pranë Aschaffenburgut në Gjermani, pasi u përplas nga një automjet që po i largohej policisë.
Rreth orës 18:45, policia tentoi të ndalonte një Mitsubishi me targa të vjedhura. Shoferi 32-vjeçar nuk iu bind urdhrit dhe, gjatë një parakalimi, hipi në trotuar, goditi dy makina dhe përplasi të miturën. Përpjekjet për reanimim nuk arritën ta shpëtonin.
Një nënë dhe fëmija i saj gjashtëvjeçar, që ndodheshin në njërën prej makinave, pësuan lëndime të lehta. U plagosën edhe shoferi dhe bashkudhëtari 34-vjeçar, të cilët u dërguan në spital dhe u arrestuan.
Sipas autoriteteve gjermane, shoferi po hetohet nën dyshimin për vrasje dhe pjesëmarrje në gara të paligjshme automobilistike.