Tronditet PD-ja! Deputet i rëndësishëm “braktis” Berishën? I bashkohet Adriatik Lapajt

Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, mori pjesë mbrëmjen e sotme në protestën kombëtare të Adriatik Lapajt, e katërta që organizohet para Kryeministrisë në Tiranë nga Lëvizja “Shqipëria Bëhet”.

Adriatik Lapaj, që po qëndron pandërprerë në shesh prej afro 2 muajsh, kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe vendosjen e një qeverie tranzitore deri në zgjedhjet e ardhshme.

Para nisjes së protestës, Lapaj theksoi se vendi ka nevojë për një bashkim të madh qytetar dhe opozitar, jashtë ndikimit të kryetarëve të partive politike:

“Duhet reformim total i sistemit elektoral, që i ka falur Edi Ramës pushtetin në tavolinë. Kërkojmë nga i gjithë spektri opozitar të distancohet totalisht nga marrëveshja e fundit për Kodin Zgjedhor. Duhet një Kod i ri që e bën votën të vlejë njësoj në të gjithë vendin”, tha ai.

Lapaj shtoi se bashkimi popullor duhet të jetë mbi flamujt e partive dhe interesat e liderëve, duke u fokusuar tek qytetarët dhe nevoja e menjëhershme për ndryshim: “Ne nuk bëjmë marrëveshje me Sali Berishën. Synojmë një bashkim qytetar për të hequr Edi Ramën sot. Askush nuk mund të mbajë peng popullin. Bashkimi qytetar duhet të jetë për nevojën që është tashmë.”

Protesta e sotme po zhvillohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë, ku qytetarë dhe aktivistë politikë mbajnë pankarta dhe brohorasin kërkesat për dorëheqjen e qeverisë aktuale.