Në një debat të hapur dhe të rrallë për ekranet shqiptare, “Top Story” solli në qendër të diskutimit një temë të mbajtur gjatë në heshtje: jeta seksuale e grave shqiptare gjatë komunizmit.
Mes të ftuarve, aktorja Monika Lubonja solli një dëshmi personale për kufizimet që ndjenin artistët dhe gratë në përgjithësi, në një sistem ku edhe trupi konsiderohej pronë e partisë.
Regjimi komunist e promovoi barazinë gjinore si pjesë të ndërtimit të socializmit, duke e përfshirë gruan në arsim, punë dhe politikë. Por, siç u theksua në studio, ky ishte një “emancipim i kontrolluar”; ku vetëvendosja mbi trupin, seksualitetin apo zgjedhjet personale të grave mbetej e ndaluar. Aborti ishte shpesh i ndaluar, edukimi seksual nuk ekzistonte dhe çdo shprehje intime përbënte tabu publike e private.
“Gruaja nuk vendoste për trupin e saj. Ai i përkiste shtetit, partisë, moralit kolektiv,” u tha gjatë debatit.
Lubonja, duke kujtuar përvojën e saj si aktore, rrëfeu momentin kur interpretoi një skenë puthjeje me Ndriçim Xhepën në një film të viteve ’90, e cila u përjetua si provokim nga një pjesë e publikut: “Putha një mit… dhe zonjat më thoshin ‘ke puthur burrin tim’,” tha ajo.
Ajo pranoi se përtej puthjes, nuk kishte guxuar të realizonte një skenë me ekspozim më të madh, ndërsa shtoi se aktorët shpesh ndëshkoheshin për skena që, sipas kohës, ishin “të guximshme”.
Në emision u risollën edhe fjalët e poetës Mimoza Ahmeti, e cila ka deklaruar më herët se insistimi i saj për shprehjen seksuale ishte një akt rebelimi ndaj sistemit: “Njerëzit nuk bëjnë seks për luks apo dëshirë, por për të thënë ‘unë jam’.”