VV-ja deklaron se i shpenzoi rreth 1 MILION euro për zgjedhjet Iokale: Sa shpenzuan partitë e tjera?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar edhe pasqyrat financiare të partive politike, të hyrat dhe shpenzimet që kanë bërë gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të tetorit 2025.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit, Albin Kurti, nga muaji qershor 2025 deri në nëntor ka pasur të hyra 604 mijë e 131 euro.

Ndërkohë ka shpenzuar 992 mijë e 562 euro, duke realizuar kështu një deficit prej rreth 400 mijë eurove. Të gjitha këto, i ka shpenzuar për fushatë.

Nga këto shpenzime, 802 mijë e 265 euro kanë shkuar për reklama, konferenca e reprezentacion.

Ndërkohë, shpenzimet e transportit në Vetëvendosje kanë arritur në 118,468.75 euro, ndërsa për shpenzime të përgjithshme janë shpenzuar 56,676.01 euro. Pagat dhe kompensimet kapin vlerën 2,225 euro.

Në fund të periudhës raportuese, VV ka pasur 288,720.89 euro para dhe ekuivalentë të parasë, krahasuar me 731,554.10 euro në fillim të periudhës.

Sipas raportit për periudhën 9 qershor – 9 nëntor 2025, PDK ka realizuar të hyra totale prej 248 mijë e 543 euro e 18 centë, ndërsa shpenzimet e fushatës kanë arritur në mbi 277 mijë euro, duke rezultuar me një deficit prej 24,228.88 euro.

PDK ka deklaruar 25 mijë e 780 euro donacione dhe kontribute në të holla, si dhe 222 mijë e 763 eeuro e 18 centë kontribute në natyrë, në formë mallrash dhe shërbimesh. Të hyra nga buxheti i shtetit apo nga anëtarësia nuk janë raportuar për këtë periudhë.

LDK-ja në anën tjetër, ka shpenzuar mbi 203 mijë euro për fushatën e zgjedhjeve lokale. Pjesa më e madhe e tyre u shpenzuar për reclama, gati 185 mijë euro.

Kurse, AAK-ja ka deklaruar se ka shpenzuar për fushatën e zgjedhjeve loale afër 25 mijë euro.

“Sipas këtij ligji, është detyrim ligjor për subjektet politike që garojnë në zgjedhje të dorëzojnë në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) raportin financiar të fushatës zgjedhore jo më vonë se 30 ditë kalendarike pas certifikimit të rezultateve përfundimtare nga KQZ. Raportet e deklarimit financiar të fushatës për subjektet politike, janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së: Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për Subjekte Politike > Raportet financiare të fushatave zgjedhore, ose në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/sherbime-per-subjektet-politike/raportet-financiare-te-fushatave-zgjedhore-te-audituara/ Duke pasur parasysh se ende nuk është bërë auditimi i këtyre raporteve, sqarojmë se këto raporte financiare janë të paaudituara dhe mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit”, ka njoftuar KQZ-ja.