Zbardhet dëshmia e autorit që i mori jetën kushëririt të tij në Shkodër pasi zbuloi parcelën me h’ashash

Piro Prroni u vra më 28 gusht pas sherrit për një parcelë me kanabis në fshatin Abat të Shalës në Shkodër.

Autori i vrasjes Ndoc Maçaj, i cili u vetëdorëzua në polici, rezulton se ishte kryeplaku i fshatit Abat, njëherazi edhe kushëri i 61-vjeçarit.

Dëshmia e tij ka zbardhur të gjithë dinamikën e vrasjes dhe përplasjen mes tyre për 80 rrënjë kanabisi që ishin kultivuar në tokën në pronësi të autorit të vrasjes, në zonën e njohur si “Pushime”.

Maçaj ka pranuar autorësinë e krimit, por në dëshminë e tij, që Shqiptarja.com zbardh nga dosja, autori ka pretenduar se vrasjen e ka bërë për vetëmbrojtje.

Ai ka rrëfyer se gjatë kontrolleve ka konstatuar kanabisin e kultivuar në tokën e tij dhe në këtë moment është përballur edhe me kushëririn me të cilin ka nisur edhe debati që përfundoi deri në vrasje.

“Unë jam kryeplaku i fshatit Abat prej dy vitesh. Duke qenë se për shkak të funksionit dhe përgjegjësive që kam mbi kontrollin e territorit të fshatit më datën 28 Gusht 2025, rreth orës 17:00, kam dalë duke kontrolluar zonën në vendin e quajtur “Pushime”, pasi ditët e fundit kisha parë lëvizje të dyshimta në këtë zonë dhe kisha merak nëse ndokush mund të jetë duke bërë ndonjë paligjshmëri, në tokën time, pasi kam bjeshkët e mia në këtë vend apo në vende të tjera, pasi ligji më ka ngarkuar për të kontrolluar brenda fshatit. Në momentin që kam arritur në vendin e quajtur “Pushime”, kam parë një parcelë, të kultivuar me rreth 70-80 bimë narkotike Cannabis Sativa…”, ka rrëfyer ai.

Sipas dëshmisë së autorit të dyshuar, 61-vjeçari i ka dalë para me një mjet prerës, drapër, dhe e ka pyetur “ça lyp këtu”. Pas debateve për kultivimin e kanabisit, Maçaj thotë se 61-vjeçari i ka dalë para me mjetin prerës dhe i ka thënë se do ta mbysë.

Në dëshminë e tij, Maçaj ka deklaruar se 61-vjeçari po i afrohej me tone kërcënuese dhe mjetin prerës në dorë dhe për tu vetëmbrojtur, ka qëlluar njëherë në ajër. Por, sipas dëshmisë së tij Prroni ka vijuar ta kërcënojë dhe më pas ai e ka qëlluar me armë në krahun e majtë.