Pas përplasjes fizike me një ish-polic që dhunoi kamarierin në lokalin e tij, Vasil Bedinaj – biznesmeni dhe pronari i rrjetit hotelier “Regina Group” – ka marrë mbështetje të gjerë në rrjetet sociale për reagimin e tij në mbrojtje të punonjësit.
Por kjo nuk është hera e parë që Bedinaj bie në sy të publikut për veprimet e tij.
Një material i publikuar nga Dosja.al në vitin 2019 rikujton se Bedinaj kishte hapur dyert e hoteleve të tij për të strehuar familjet e prekura nga tërmeti tragjik që goditi vendin në nëntor të atij viti.
Ai deklaroi se po vinte në dispozicion gjithë rrjetin hotelier për çdo familje që kishte mbetur pa banesë, duke i ofruar strehim pa pagesë.
Ky gjest i vitit 2019 është risjellë në vëmendje nga përdorues të shumtë të rrjeteve sociale, të cilët theksojnë se veprimet e Bedinajt janë të një natyre njerëzore dhe solidarizuese.
Veçanërisht pas incidentit të fundit, reagimi i tij është interpretuar nga shumë qytetarë si një vijimësi e karakterit të tij – duke mos qëndruar i heshtur përballë padrejtësisë.
Aktualisht, videot e incidentit në Vlorë, ku Bedinaj u përfshi për të ndalur dhunën ndaj kamarierit 18-vjeçar, janë bërë virale, ndërsa shumë komentues shprehen se do të mbështesin biznesin e tij duke zgjedhur të jenë klientë të rregullt.