Rrëmbimi dhe vrasja makabre e 23-vjeçarit Renis Dobra vijon të mbetet një nga ngjarjet më të rënda të ditëve të fundit, ndërsa dalin detaje të reja që mund të ndihmojnë në zbardhjen e motivit.
Burime pranë hetimit thonë se pista kryesore që po hetohet lidhet me të kaluarën e të riut në Gjermani, ku kishte vuajtur një dënim 6-mujor për trafikim të lëndëve narkotike. Babai i viktimës, Rufat Dobra, ka dhënë një dëshmi të rëndësishme për hetuesit, ku thotë se i biri i kishte rrëfyer për një konflikt të ashpër me disa persona, që lidhej me një sasi kokaine.
Sipas tij, Renisi i kishte treguar se ishte akuzuar nga disa individë se kishte shitur drogën për llogari të tij, pa dijeninë e tyre. Por sipas versionit që ai i kishte dhënë babait, kjo nuk ishte e vërtetë. Për shkak të frikës nga policia, ai kishte hedhur drogën, gjë që mund të ketë sjellë pasoja të rënda nga ana e trafikantëve që kërkonin informacion se ku kishte përfunduar lënda narkotike.
“Kjo mund të ketë qenë një nga arsyet kryesore që çoi në rrëmbimin dhe më pas në torturimin brutal të djalit tim,” ka dëshmuar babai, duke dhënë detaje të rëndësishme për hetuesit.
Rrjedha e ngjarjeve, sipas autoriteteve, duket se ka qenë e mirëorganizuar. Kamera sigurie kanë dokumentuar dy automjete që e ndiqnin Renisin në rrugën e vjetër Burrel–Tiranë, duke i zënë pritë pranë liqenit të Shkopetit.
Pikërisht aty dyshohet se ka ndodhur rrëmbimi dhe dhuna ndaj të riut. Pak më vonë, trupi i tij u gjet i pajetë në ujërat e liqenit, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore përcaktoi si shkak të vdekjes strangulimin me lak.
Autorët kanë qenë të kujdesshëm për të mos lënë gjurmë. Ata dyshohet se kanë përdorur targa të vjedhura për automjetet e tyre, duke pamundësuar identifikimin e automjeteve. Mjetet e dyshuara janë një Honda e bardhë dhe një Range Rover i zi, ndersa lëvizja e tyre është ndjekur nga Burreli në drejtim të rrugës së Kombit.