“Ndalëm Serbinë, ishte gati të vepronte…”, Trump ‘SHOKON’ të gjithë me atë që thotë në lidhje me Kosovën

Presidenti amerikan Donald Trump në samitin e Hagës ka lënë të hapur mundësinë që presidenti rus Vladimir Putin të ketë ambicie territoriale përtej Ukrainës.

I pyetur për deklaratat e kryetarit të Shefave të Shtabit të Përbashkët të SHBA-së, gjeneralit Dan Caine, se Rusia mund të synojë territore të tjera përveç Ukrainës, Trump tha: “Është e mundur.”

Megjithatë, ai shtoi se sipas tij, Putini kërkon të dalë nga lufta: “Unë e di një gjë që ai do të donte ta zgjidhte, do të donte të dilte nga kjo gjë. Është rrëmujë për të”.

Duke folur për situatën në Ukrainë, ai theksoi: “Mendoj se Zelensky do që kjo të përfundojë. E ndjej këtë. Dhe unë mendoj se është koha e duhur për ta përfunduar.”

Trump deklaroi se pas këtij takimi, do të flasë me Putinin: “Do të flas me Vladimir Putinin, të shohim nëse mund ta ndalojmë këtë”.

Trump tha më tej se administrata e tij frenoi në kohë përshkallëzimin mes Kosovës e Serbisë pak javë më parë.

“Ndaluam Serbinë, që ishte gati të vepronte…”, tha Trump në përfundim të Samitit të NATO-s, teksa listonte numrin e konflikteve që kishte ndalur në javët e fundit.

Ai lavdëroi veten dhe administratën e tij për punën e mirë që kanë bërë në javët e fundit për të siguruar paqen në botë.

“Putin më telefonoi dhe më tha: ‘A mund të të ndihmoj me Iranin?’ I thashë: ‘Jo, mund të më ndihmosh me Rusinë’. Sepse në javët e fundit zgjidhëm çështjen e Indisë dhe Pakistanit, Kosovës e Serbisë, mendoj të premten do të vijnë Kongo dhe Ruanda, një luftë e tmerrshme, kupriteshin kokat gjithandej në Afrikë”, tha Trump.

Presidenti amerikan nuk dha detaje të tjera lidhur me atë që po ndodhte mes Kosovës e Serbisë, por disa ditë më parë, Trump u shpreh se paraardhësi i tij, Joe Biden, “e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë” mes dy vendeve, me disa vendime të cilat ai i quajti “shumë të marra”, por paralajmëroi se “do ta rregullonte këtë punë”.

Trump tha më tej se në mandatin e tij të parë, ai ndali luftën mes Kosovës dhe Serbisë, pasi sipas tij, situata mes dy vendeve ishte përshkallëzuar me intensitet të madh.