Moderatorja dhe gazetarja Ilnisa Agolli ka ndarë një rrëfim të veçantë mbi eksperiencën e saj me një nga figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare, Sali Berishën.
E ftuar në emisionin “Pardon My French”, Agolli ka treguar se si i nisi një ftesë ish-kryeministrit për të qenë pjesë e podcast-it të saj, dhe si nga një kontakt formal, përjetoi një nga intervistat më të paharrueshme të karrierës së saj.
“Jam kënaqur shumë me doktorin,” – tha ajo me entuziazëm. “Ishte një intervistë shumë e veçantë, me një njeri shumë korrekt.”
Ilnisa tregoi se gjithçka nisi një të shtunë, kur shkoi ta takonte për herë të parë ndërsa ai ndodhej në një konferencë. “Ne nuk njiheshim më parë. Kur i thashë që shkruaj artikuj, më pyeti menjëherë se kur e kisha shkruar të fundit. I tregova për një shkrim gjatë fushatës zgjedhore që kishte qarkulluar shumë, dhe më kërkoi ta lexonte.”
Në vend që ta drejtonte te sekretarja, Berisha i dha numrin e tij personal. Por surpriza nuk mbaroi aty. “Ishte ora 12 e natës kur më vjen një mesazh,” – kujton Ilnisa. “Mendova se ishte ndonjë shok apo shoqe, por kur pashë që ishte Sali Berisha, ngela! Më falënderoi për shkrimin dhe më tha që me datën 10 do ta xhironim intervistën.”
Ky moment i papritur dhe sjellja e drejtpërdrejtë e Berishës e la Ilnisën me një përshtypje të thellë për mënyrën sesi një figurë politike me përvojë të gjatë ruan korrektësinë dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar. Intervista e tyre është konsideruar një nga më të veçantat, jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për mënyrën intime dhe njerëzore si nisi.