HISTORIKE: SHBA-ja kontratë 5-vjeçare me Shqipërinë dhe Kosovën, ja për çfarë bëhet fjalë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur një kontratë pesëvjeçare që përfshin projekte ndërtimi dhe mirëmbajtjeje në Shqipëri, Kosovë dhe Bullgari, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar praninë ushtarake në Evropën Juglindore.

Ky hap, i udhëhequr nga Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë Amerikane, synon ndërtimin e infrastrukturës së avancuar për trupat amerikane dhe agjencitë e SHBA-së në rajon.

Ministria e Mbrojtjes së Kosovës e cilësoi vendimin si kontribut të rëndësishëm për sigurinë në gjithë Ballkanin.

“Mirëpresim çdo investim apo shtim të forcave amerikane në Kosovë, pasi SHBA është partneri ynë strategjik,” tha zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi.

Edhe analisti Arben Fetoshi theksoi se kjo kontratë është rikonfirmim i angazhimit të SHBA-së për Kosovën, duke e parë si kundërpeshë ndaj ndikimit rus në rajon. Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, shtoi se pozita gjeografike e Kosovës e bën atë prioritet për strategjinë amerikane dhe të NATO-s.

Ky zhvillim shihet si një garanci për një të ardhme më të sigurt dhe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.