Gazetari dhe analisti Sami Neza, i ftuar në një studio televizive, ka komentuar aktualitetin politik në vend në prag të konstituimit të parlamentit të ri.
Neza shprehet se qeveria e re do të ketë dy grupime, i pari që i shërben Ramës dhe i domosdoshëm për pushtetin e tij, dhe grupimi i dytë, do të jenë ministrat që bëjnë zhurmë që i duhen për imazh.
Sami Neza:
“Mënyra se si kryeministri e përdor qeverinë, mendoj se do ketë dy grupime në kabinetin e ri. I pari do të jetë ai që i shërben Ramës, jo vetëm në menaxhimin e ministrive, por i domosdoshëm për pushtetin.
Grupimi i dytë do të bëjë PR, imazhi gjithnjë është i nevojshëm dhe kryeministri kujdeset shumë për këtë pjesë. Pra, në grupimin e dytë do të jenë ata që do të bëjnë zhurmë.
Besoj se surpriza do të ketë, e ka treguar këtë edhe në të kaluarën. Vetëm Blendi Gonxhe në qeveri ka hyrë në mënyrë logjike në vitet e fundit. Karriera dhe transformimi që bëri te transportet, pa harruar që ka qenë bashkëpunëtor i Ramës në bashki, e bënin atë si emërimin më normal.
Një pjesë e kabinetit aktual janë paraqitur në SPAK ose kanë akuza publike. Rama nuk e ka problem këtë pjesë. është mësuar që ai të realizojë qëllimet e tij, nuk është se lexon votën që të përfaqësojë qytetarët që kanë votuar, ai lexon rrethanat.
Rama nuk e ka pasur ndonjëherë problem mbajtjen e përgjegjësisë, ministra që ikin e vijnë. Nuk i intereson sa përfaqësues janë në komunitet. Në PS nuk e ngrenë zërin se ia dinë për nder Ramës. Madje edhe kryesia e PS-së ia di për nder lidershipit.
Opozita duhet të bëjë presionin e vet, kjo mund të bëhet vetëm përmes diskursit jo nëpërmjet numrave. Opozita duhet të adresojë kauza. Nuk duhet të jetë fasadë sepse nuk ka numrat.
Problemi nuk është mazhoranca përballë opozitës, por i spektatorit që i dëgjon, sepse ai është i vëmendshëm, prandaj debati vlen gjithnjë.
Opozita duhet të futet në një proces reformimi, duhet më shumë integritet. është e domosdoshme që të ketë raporte më shumë me qytetarin, ai duhet të bindet që mos e shesë votën.”