“Na vranë”, gjyqi për vr*sjen e Liridona Ademajt, zbardhet DËSHMIA e personit të parë që kontaktoi Naim Murseli

Këtë të premte në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

I pari që dëshmoi ishte, Valon Lluka, personi i parë që Naim Murseli kontaktoi menjëherë pas ngjarjes. Ai tregoi momentet e para pas telefonatës së çuditshme, të bërë nga një numër i panjohur, dhe bisedën e ngarkuar emocionalisht që zhvilloi me Murselin.

Në përgjigje të pyetjeve të prokurores, Lluka shpjegoi bisedën e parë që pati me Murselin, duke theksuar se telefonata ka ardhur nga një numër i panjohur.

Pjesë nga dëshmitë në seancë:

Prokuroria: A jeni i vetëdijshëm që ju jeni personi i parë që Naim Murseli ka kontaktuar pas vrasjes së bashkëshortes së vet?

Dëshmitari: Po.

Sipas dëshmitarit, telefonata ka ardhur në orën 08:32 të mëngjesit. “Më telefonoi nga një numër që përfundonte me 417, nuk e njihja.

Më shkroi: ‘Urgjent, çele! Urgjente, Naimi!’”, tregoi Lluka. Fillimisht, ai nuk e kishte kuptuar se kush po e kërkonte.

“Ja kam kthyer: ‘Më falni, cili Naim? Jam me mysafirë’. Ai më tha: ‘Murseli, o Valon, na kanë vrarë’.”

Prokuroria pyeti nëse në atë moment i ishte thënë qartë se bashkëshortja e Naimit ishte vrarë.

“Po, e ka cekur që na kanë gjuajtur dhe na kanë vrarë në këtë formë”, deklaroi dëshmitari.

Lluka shtoi se Murseli nuk i tregoi vendndodhjen nga po telefononte, dhe gjithashtu theksoi se telefonata nuk ishte bërë nga aparati i tij personal.