Po mbahet mesditën e kësaj të hëne seanca paraprake për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Në seancën me dyer të mbyllura avokatët kanë kërkuar që klienti i tyre të njihet vetë me aktet dhe t’ia çojnë në burg. Përmes avokatëve, Veliaj ka kërkuar edhe laptop në burg me pretendimin se i duhet për të lexuar aktet.
Ndërkohë që prokurori i SPAK ka kundërshtuar duke thënë se ata tashmë janë njohur me aktet.
“Jeni njohur me aktet, kërkoni të gjykoheni dhe nuk vini në gjykim”, raportohet të ketë thënë prokurori.
Në seancën e sotme do të vendoset nëse dosja do të kalojë për gjykim apo jo.
SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen e Veliajt dhe 28 personat e tjerë të përfshirë në dosje më 10 shtator.
Veliaj akuzohet se është përfshirë në 9 raste korrupsioni, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, gjithashtu në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse.
Ajo akuzohet po ashtu për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave. Ish-deputetja akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese me shumicë votash vendosi që të rikthejë në detyrën e kryetarit të bashkisë Erion Veliaj duke rrëzuar shkarkimin e tij, si rrjedhojë solli edhe anulimin e zgjedhjeve të parakohshme për Tiranën.