Fermerët në lot në Jug, rëndohet bilanci: ‘Më kanë ngordhur 120 dhi dhe 60 keca’

Moti i keq ka “gjunjëzuar” Shqipërinë për ditë me radhë duke shkaktuar nga veriu në jug përmbytje kolosale, dëme të mëdha në banesa, bujqësi e blegtori.

E ndërsa situata ditën e sotme ka qenë drejt normalizimit, në disa prej zonave të prekura nga moti i keq, kanë filluar të dalin në pak të gjitha dëmet e mëdha, ashku siç raportohet dhe nga fshati Viron i Sarandës.

Uji është tërhequr masivisht ndërsa fermeri Lulzim Osmani numëron bagëtitë e ngordhura pas përmbytjes së stallës nga lumi Bistricë që doli nga shtrati.

“Kanë ngordhur 30 qingja, 13 krerë dele, 120 dhi dhe 60 keca. Dhitë dhe kecat nuk i kemi gjetur fare, ndërsa pjesa tjetër e bagëtive nuk kanë mundur të dalin nga stalla. Dëmet i konstatuam vetëm pasi ra niveli i ujit në stallë’, tha ai.

Përveç kësaj, uji ka dëmtuar dhe rezervat ushqimore për ato pak bagëti që kanë mbetur, ndërsa i bën thirrje shtetit për ndihmë, pasi ferma është e vetmja e ardhur për familjen Osmani.

“Kemi kontaktuar autoritetet dhe presim të hiqen kafshët e ngordhura. Bëj apel të na ndihmojnë edhe me ushqim për ato pak kafshë që na kanë mbetur’, tha ai.