Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në përfundim të vitit 2025 ka përmendur edhe rezultatin zhgënjyes të subjektit të tij politik në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Abdixhiku ka pretenduar se ka dhënë maksimumin dhe se para LDK’së është njoë kohë reflektimi.
“Ky është edhe një vit reflektimi personal. Kam bërë gjithçka që kam ditur dhe mundur, me ndershmëri dhe me përkushtim. Ndonjëherë, edhe kur jep maksimumin, nuk mjafton; dhe këtë e pranoj me dinjitet. Përpara nesh është një kohë reflektimi, vendimmarrjeje dhe përgjegjësie. Me kohë e në vendin e duhur, siç na mëson dinjiteti e përgjegjësia politike, do t’i shpalosi të gjitha. Çfarëdo që sjell e nesërmja, unë do të jem gjithmonë në shërbim të vendit tim”, ka deklaruar Abdixhiku.
“Në këtë natë të fundvitit, dua ta gjej kohën e humbur tek familja ime, tek dy vajzat e mia, të cilave u kam borxh më shumë kohë, më shumë prani time, më shumë dëgjim”, vijon ai.
Abdixhiku në fund uroi Vitin e Ri për qytetarët e Kosovës.