Eliminimi i Benitës në gjysmëfinale të “Big Brother VIP Kosova”, pas një përballjeje të fortë me Hygerta Sakon, ka lënë pas jo vetëm zhgënjim, por një skandal të vërtetë.
Ish-banorja ka “thyer rrjetin” me disa postime shpërthyese në Instastory, të cilat, ndonëse u fshinë shumë shpejt, u ruajtën nga ndjekësit dhe po bëjnë xhiron e internetit.
Benita i është drejtuar personalisht dhe publikisht producentes së formatit, Olsa Muhametit, me akuza të drejtpërdrejta për manipulim.
Në postimin e parë ajo thekson se kishte një pakt të pambajtur: “Olsa, kam shumë pyetje për ty… Fjala ishte që unë të shkoja në finale. Çfarë ndodhi? Pse nuk shkova, kur i kisha votat dhe gjithçka? Çfarë ndryshoi?”.
Por akuzat nuk mbeten me kaq. Benita ka hedhur dyshime të forta se eliminimi i saj erdhi si dënim për mosbindje ndaj skenarëve të produksionit për të krijuar një lidhje dashurie.
Ajo pyet hapur: “A është kjo arsyeja e vërtetë? Sepse unë nuk desha të jem me Klodin?”.
Për më tepër, ajo paralajmëroi publikun se e di të vërtetën se kush do ta fitojë këtë edicion, duke përjashtuar një nga emrat e përfolur dhe duke thënë se fituesi: “…është zgjedhur nga produksioni”.
Ajo shtoi: “Dhe jo, nuk është Elijona. Pasi mua më nxorën padrejtësisht, kam vendosur të flas hapur.”.

Ndonëse Benita paralajmëroi se do të tregonte gjithçka në story-t e radhës, ajo papritur i ka fshirë këto postime, duke ngritur edhe më shumë dyshime se çfarë mund të ketë ndodhur në prapaskenë pas këtij shpërthimi.