Drejtori i Shell për Europë del me një njoftim të rëndësishëm për NAFTËN

Drejtori ekzekutiv i Shell, Wael Sawan, ka deklaruar se Evropa mund të përballet me mungesë energjie dhe karburanti që në muajin e ardhshëm, nëse nuk ndodh rihapja e Ngushtica e Hormuzit.

Shefi i kompanisë më të madhe të naftës në Evropë theksoi se po bashkëpunon me qeveritë për t’i ndihmuar në përballimin e krizës së furnizimit me naftë dhe gaz, e cila tashmë ka çuar në racionimin e energjisë në disa vende aziatike.

Ndërkohë, çmimet e naftës ranë sërish në rreth 100 dollarë për fuçi të mërkurën, nga niveli maksimal prej rreth 114 dollarësh në fillim të javës. Kjo rënie erdhi pas raportimeve se Shtëpia e Bardhë u ka dërguar udhëheqësve të Iranit një plan paqeje me 15 pika.

Megjithatë, pa rikthimin e furnizimeve të naftës bruto nga Gjiri Persik drejt tregjeve globale përmes kanalit strategjik të Hormuzit, Evropa mund të përballet me mungesa të lëndëve djegëse fosile brenda pak javësh.

Sawan, gjatë një konference në Teksas, u shpreh se ndikimi i krizës fillimisht u ndje në Azinë Jugore, më pas u zhvendos në Azinë Juglindore dhe Azinë Verilindore, ndërsa tani po prek gjithnjë e më shumë edhe Evropën, sidomos me afrimin e muajit prill.

Ai shtoi se kriza, tashmë në javën e katërt, ka ndikuar edhe në furnizimin me karburant për avionë, çmimi i të cilit është dyfishuar që nga fillimi i konfliktit, ndërsa edhe nafta po vihet nën presion.

Paralajmërimi i tij u mbështet edhe gjatë së njëjtës konferencë industriale nga ministrja e ekonomisë gjermane, Katherina Reiche, e cila theksoi se mungesa e furnizimit me energji mund të ndodhë në fund të prillit ose në maj, nëse konflikti vazhdon.