Baton Haxhiu nxjerr 7 emra: Ja çfarë thotë për lidhjen e tyre me Specialen

Gazetari Baton Haxhiu ka komentuar në emisionin “Pressing” të T7 aktgjykimin e fundit në Hagë dhe përmendjen e disa personave të tjerë gjatë trajtimit të çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Sipas Haxhiut, në aktgjykim janë përmendur me emër dhe mbiemër edhe shtatë persona të tjerë, të cilët aktualisht nuk janë të akuzuar në këtë proces. Ai ka ngritur pikëpyetje nëse përmendja e tyre mund të paralajmërojë zhvillime të tjera në të ardhmen.

Haxhiu tha se, sipas interpretimit të tij, mënyra se si janë trajtuar këta persona në aktgjykim krijon përshtypjen se Specialja ka bërë konstatime që mund të kenë rëndësi edhe për procese të tjera.

“Edhe 7 të tjerë që i përmendi me emra e mbiemra, të cilët në këtë moment nuk janë këtu, por pafajësia e tyre ekziston për faktin se nuk është ngritur aktakuzë, por kjo i binte që edhe ata mund ta kenë radhën”, ka deklaruar Haxhiu.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të ketë aktakuza apo lëndë të tjera, duke e lidhur këtë vlerësim me mënyrën se si janë përmendur personat e tjerë gjatë procesit.

Sipas tij, mesazhi që ai ka lexuar nga aktgjykimi shkon përtej vetëm katër personave që kanë qenë të akuzuar në këtë çështje.

“Ai veçse nuk tha që në të ardhmen Specialja do të veprojë edhe me lëndë tjera”, është shprehur Haxhiu gjatë diskutimit në “Pressing”.