Qeveria ka miratuar shpërblimin për 2 750 policë, me nga 269 120 lekë secili, pas njoftimit të kryeministrit Edi Rama për efektivët e angazhuar në protestat studentore.
Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet:
DHËNIE SHPËRBLIMI PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT DHE PËR NJË SHTESË NË BUXHETIN E MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, MIRATUAR PËR VITIN 2026
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 14, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënie shpërblimi financiar në masën prej 269 120 (dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e njëzet) lekësh për 2 750 (dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) punonjës të Policisë së Shtetit për angazhimin e shtuar në garantimin e rendit dhe të sigurisë publike.
Në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në zërin “Shpenzime korrente” të programit buxhetor “Policia e Shtetit”, shtohet fondi prej 740 080 000 (shtatëqind e dyzet milionë e tetëdhjetë mijë) lekësh.
Efekti financiar, në shumën prej 740 080 000 (shtatëqind e dyzet milionë e tetëdhjetë mijë) lekësh, që rrjedh nga zbatimi i këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2026.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit përcakton listën emërore të punonjësve të policisë përfitues bazuar në dokumentacionin justifikues dhe kryen procedurat për dhënien e shpërblimit.
Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.