Përplasja Rama–Spiropali merr kthesë të fortë: Spiropali i kërkoi të largohej, Rama ‘e godet’ rëndë

Gazetari Basir Çollaku pretendon se tatimet kanë tentuar të vendosin një gjobë prej rreth 2 milionë eurosh ndaj bizneseve të bashkëshortit të Elisa Spiropalit, duke ngritur dyshime për lidhje me përplasjet politike pas kritikave të saj ndaj Edi Ramës.

“Me informacionin që kam, duhet zyrtarizuar, por burimet janë të besueshme, ka pasur një përpjekje tatimore për të vendosur një gjobë shumë të konsiderueshme ndaj bizneseve të familjes së saj”, deklaroi ai në “NTV Television”.

Sipas tij, përpjekja dyshohet të jetë bërë rreth 13 tetorit.

“Afër rreth 2 milionë euro, afër, diçka më pak apo më tepër. Pra kjo është ajo që unë di, që ka pasur një përpjekje për ta sanksionuar si ndëshkim financiar nga tatimorët”, u shpreh Çollaku.

Gazetari pranoi se nuk ka konfirmim zyrtar dhe nuk e di nëse masa është zyrtarizuar, tërhequr apo ka bazë ligjore. Deri tani, nuk ka reagim të konfirmuar nga administrata tatimore, Spiropali apo bizneset e përmendura.