Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur se Policia mund t’i mbajë përkohësisht patentë-shoferët maksimumi tetë ditë. Ajo ka shfuqizuar dispozitën që kushtëzonte kthimin e dokumentit me përfundimin e masës së ndalimit të drejtimit.
Vendimi prek paragrafin 3 të nenit 17 të Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Kundërvajtjes dhe është marrë pas padisë së 28 qytetarëve kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës.
Gjykata ka sqaruar se mbajtja e dokumentit dhe ndalimi i drejtimit janë masa të ndryshme. Edhe kur patentë-shoferi kthehet, ndalimi i drejtimit për tre, gjashtë apo dymbëdhjetë muaj mbetet në fuqi dhe duhet respektuar.