Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është intervistuar si i pandehur për rastin “Arkitekti i Kryeqytetit”, ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.
“Prokuroria Speciale ju njofton se personi me inicialet P.R. është intervistuar në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të veprimeve hetimore që Prokuroria është duke i zhvilluar në rastin penal “Arkitekti i Kryeqytetit”, lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokuroria Speciale është duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi”.
Pas intervistimit, Rama deklaroi: “Unë kam kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me Prokurorinë për këtë çështje, por edhe të tjera. Prandaj kam ardhë përkundër faktit që disa, si kryeministri, që nuk shkojnë, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Prokurorinë, sepse kështu zhvillohet shteti demokratik”.
“Puna ime është zhvillimi i kryeqytetit, puna e Prokurorisë është të dijë që çdo gjë po bëhet në bazë të legjislacionit”, ka shtuar ai.