Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, Mursel Zymberi, tha në “Debat Plus” se Adonis Demiri kishte kërkuar me shkrim kujdesin prindëror për vajzën tre muajshe, e cila, sipas tij, ishte braktisur nga nëna në spital.
“Adonisi kur është paraqitur, me dy prindërit dhe motrën e vet, ka qenë në gjendje normale dhe nuk është vërejtur dhe nuk kemi pasur as edhe një shënim që ka pasur shqetësime apo çrregullime psikike”, deklaroi Zymberi.
“Kur kemi të bëjmë me prindin biologjik, është një procedurë tjetër me adoptimin apo kujdestarinë. Adonisi ka qenë prind që ka kërkuar kujdesin prindëror. Dhe ne si qendër nuk kemi një databazë e cila na tregon se një person mund të jetë i përfshirë në krime të çfarëdo natyre”, tha ai në Debat Plus.
Ndërkohë, Gjykata Themelore në Gjilan konfirmoi për Dukagjinin se më 17 qershor 2026 Demiri ishte dënuar me gjashtë muaj burgim për kanosje ndaj të fejuarës. Me pëlqimin e tij, dënimi ishte zëvendësuar me gjobë prej 1.800 eurosh.
Sipas gjykatës, ai kishte qëndruar për dy muaj në Institutin e Forenzikës Psikiatrike, pas rekomandimit të ekspertit për shkak të varësisë nga narkotikët. Gjykata i kishte shqiptuar edhe trajtim të detyrueshëm psikiatrik në liri.
Zymberi tha se nuk e kishte menduar dorëheqjen. Adonis Demiri dhe vajza e tij u vranë më 1 nëntor në Demiraj të Gjilanit. Babait të tij, B.D., i është caktuar një muaj paraburgim nën dyshimin për vrasje të rëndë.