Zvonko Veselinoviq u nis mëngjesin e sotëm nga Sarajeva drejt Stambollit me pasaportë serbe, raporton KRIK. Udhëtimi vjen ndërsa në Serbi po arrestohen biznesmenë dhe zyrtarë të lidhur me ish-pushtetin e Aleksandar Vuçiqit.
KRIK ka raportuar për afërsinë e Veselinoviqit me Andrej Vuçiqin, vëllanë e ish-presidentit, dhe për kontratat shtetërore me vlerë miliona euro të kompanisë së tij të ndërtimit. “Vëlla, e di sa miliona merr. Edhe kjo nuk i mjafton”, shkruante një anëtar i një grupi rival në një prej mesazheve në aplikacionin “Sky”, të publikuara nga KRIK.
Sipas mesazheve, Veselinoviq i kishte thënë Andrej Vuçiqit në vitin 2020 se nuk do ta ndihmonte më Partinë Përparimtare Serbe (SNS) nëse Veselin Miliqi emërohej drejtor i policisë.
Raportet policore të publikuara nga KRIK e lidhin grupin e Veselinoviqit me kontrabandë, fajde dhe pastrim parash. Ai dyshohet edhe për përfshirje në vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq në janar 2018. Prokuroria e Kosovës ka përmendur edhe Milan Radoiçiqin si të përfshirë në rast.
Në Serbi, shumica e proceseve penale ndaj Veselinoviqit kanë përfunduar me aktgjykime lirimi. Thesari amerikan vendosi sanksione ndaj tij në vitin 2021 për dyshime korrupsioni, ndërsa Mbretëria e Bashkuar e sanksionoi një vit më vonë.