Deputetja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, ka hapur zemrën si asnjëherë më parë.
Në emisionin “Canape“, ajo ka rrëfyer pse nuk është bërë nënë.
“Janë etapat e jetës që nuk kanë qenë aspak të lehta, të cilat më kanë ndryshuar shpeshherë gjatë rrugëtimit ose gjatë formimit tim perspektiven për mundësinë ose jo mundësinë e të qenurit nënë. Jam gjithmonë pro familjes, por asnjëherë as nuk i kundërshtoj, e as nuk i akuzoj, e as nuk i nënçmoj edhe ata që jetojnë vetë. Unë jam shumë në rregull me veten time dhe jam shumë e vetëdijshme për rrugëtimin tim jetësor. Jam shumë në paqe me veten time, me familjen time. Për mua familja është koncept shumë i madh. Rritesh gjithmonë me ndjesinë se çka do të thotë ndjenja dhe çka është të jesh nënë. Unë nuk e kam shijuar. Nuk e di. Kur i dëgjon njerëzit duke thënë ‘po i vjen era nënë’ edhe ti ulesh dhe mendon se qysh mundet me kánë kjo aromë. Edhe diçka që kurrë nuk e kam pasur: është një zbrazëtirë shumë e madhe që nuk është plotësuar kurrë. Në moshën e adoleshencës ose të rinisë së hershme e kam menduar shpeshherë dhe kam thënë ‘okej, ndoshta kjo është boshllëk, unë do ta plotësoj kur unë të bëhem nënë’. Ka qenë një periudhë. Nuk e kam sot atë ndjenjë. Unë ende e vlerësoj që të pasurit një fëmijë është e jashtëzakonshme. Unë ia uroj secilit që dëshiron me pasë fëmijë“, ka deklaruar ajo.