Alarm nga Pentagoni/ Ndihma për Ukrainën po shteron burimet e trupave amerikane në Evropë, ja çka do të thotë kjo

Mbështetja për Ukrainën ka pakësuar burimet dhe ka dobësuar gatishmërinë e Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropën dhe Afrikën (USAREUR-AF), sipas një raporti të Inspektorit të Përgjithshëm të Pentagonit, të paraqitur në Kongres në nëntor.

Në mungesë të fondeve të posaçme për Ukrainën gjatë viteve fiskale 2025 dhe 2026, komanda përdori fonde të parashikuara për dislokimin e trupave amerikane dhe blerjen e pjesëve të këmbimit për pajisjet e tyre.

“Boshllëqet në burime kanë ndikuar negativisht në gatishmërinë e përgjithshme të USAREUR-AF, efektivitetin e stërvitjeve dhe kapacitetin për të zhvilluar operacionet e planifikuara”, thuhet në raport.

Një raport i mëparshëm, që mbulonte periudhën janar–mars, tregonte se komanda kishte ridrejtuar 364,6 milionë dollarë nga fonde të destinuara për nevoja të tjera. Disa njësi amerikane u kthyen në bazat e tyre pa shlyer faturat për pjesët rezervë të përdorura, raporton A2CNN.

Kongresi nuk miratoi paketa të mëdha ndihme emergjente për Ukrainën gjatë viteve 2025 dhe 2026. Presidenti Donald Trump ka kundërshtuar paketa të tjera të mëdha amerikane dhe ka kërkuar që vendet evropiane të marrin përsipër barrën financiare të mbështetjes për Kievin.