Bashkia e Tiranës në rrezik? Rama thyen heshtjen pas skepticizmit të Pandeli Majkos

Ish-kryeministri Pandeli Majko kërkoi në Asamblenë Kombëtare të PS-së largimin e anëtarëve që kanë pasur kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar. Ai paralajmëroi gjithashtu se PS-ja rrezikon të humbasë Bashkinë e Tiranës, sipas një burimi nga mbledhja që foli për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu.

Majko citohet të ketë thënë: “Duhet të marrim në konsideratë edhe çfarë mund të bëjë SPAK deri në maj, kur janë zgjedhjet lokale.”

“Kush nga anëtarët e familjes tonë kanë pasur kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar dhe diskredituese duhet të largohet menjëherë për të mos i dhënë kosto Partisë Socialiste”, tha Majko. “E them këtë pasi është bërë publike ekzistenca në duart e SPAK-ut e 1000 orë filmime, të cilat mund të jenë kompromentuese për persona të caktuar brenda partisë tonë”, shtoi ai.

“Në kushtet që jemi rrezikojmë ta humbim Bashkinë e Tiranës. Duhet të gjejmë një kandidat me potencial dhe fitues”, u shpreh Majko.

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj: “Skepticizmi i përhershëm i Majkos më ka motivuar mua të bëj zgjedhjet e duhura dhe kështu do të ndodhë edhe këtë herë me Tiranën”.