“U ndjeva sikur u ktheva në Iuftën e Kosovës”/ Shqiptari rrëfen tmerrin pas shpërthimit në Zvicër

Një shpërthim i ndjekur nga zjarri në një garazh pallati në Menziken të Zvicrës, mbrëmjen e së shtunës, ka lënë një person me djegie të konsiderueshme. Ai mori ndihmën e parë në vendngjarje dhe u transportua me helikopter në spital.

Sipas dëshmive për *20 Minuten*, shpërthimi shkëputi portën e garazhit dhe banorët u larguan me nxitim nga ndërtesa. Viliami, 47 vjeç, tentoi të shuante flakët me fikëse zjarri. “Zjarri po bëhej gjithnjë e më i madh. Fillimisht nuk mund t’u besoja syve për atë që po shihja”, rrëfeu ai.

Fadili, 49 vjeç, tregoi se rreth orës 18:30 dëgjoi dy shpërthime. “Banoja në katin e tretë dhe reja e tymit arrinte deri aty. Më pas dëgjova britma. Tri herë dikush kërkoi ndihmë”, tha ai.

Ngjarja i riktheu kujtimet e luftës në Kosovë. “U ndjeva sikur isha sërish në atë kohë. Askush nuk e dinte se çfarë po ndodhte. Të gjithë ishin në panik. Britmat dukeshin sikur po dëgjoje dikë në momentet e fundit të jetës”, tregoi Fadili. Për të lënduarin, ai shtoi: “Është djegur nga koka te këmbët. Më vjen shumë keq për familjen e tij. Është diçka e tmerrshme”.

Sipas Policisë, shkaku i shpërthimit dhe zjarrit mbetet i paqartë dhe po hetohet nga specialistët. /Top Channel