Profesori amerikan Daniel Serwer ka deklaruar në podcastin “PIKË”, gjatë një bisede me Veton Surroin, se Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa normalizuar plotësisht marrëdhëniet me Kosovën.
“Është shumë e qartë për këdo që ka tru në Beograd se Serbia nuk do të hyjë në Bashkimin Evropian derisa të normalizojë plotësisht marrëdhëniet me Kosovën, që sipas meje do të thotë ta njohë dhe të shkëmbejë ambasadorë me Kosovën”, ka thënë Serwer.
Surroi theksoi se ky qëndrim është i shkruar si politikë zyrtare vetëm në Washington dhe kujtoi se pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën. Serwer u përgjigj se të paktën pesë shtete të tjera anëtare nuk do ta pranonin Serbinë pa normalizimin e marrëdhënieve.
Ai shprehu më shumë shqetësim për mungesën e përparimit të Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE.