Bashkimi Evropian pret
të konsultohet për çdo nismë që ndryshon legjislacionin për Gjykatën Speciale. Një zëdhënës i BE-së e deklaroi këtë për Gazetën Express, pas nismës së PDK-së dhe Qeverisë së Kosovës për një ligj të ri, që pritet të bazohet në tekstin e miratuar në dy lexime gjatë tetorit.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, që funksionon brenda sistemit juridik të Kosovës dhe është i përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës. Mandati dhe pavarësia e tyre aktuale duhet të respektohen plotësisht dhe pa asnjë rezervë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së.
Duke iu referuar shkëmbimit të letrave të vitit 2014 ndërmjet Përfaqësueses së Lartë të BE-së dhe presidentit të atëhershëm të Kosovës, zëdhënësi theksoi: “Ne presim që të konsultohemi për çdo iniciativë të re që ndryshon legjislacionin”.
BE-ja ritheksoi se sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e viktimave dhe dëshmitarëve, mbeten përparësi.