Dosja TR0NDITËSE për Albert Sylajn/ Prokuroria zbardh si u vra Arlinda në dhomën e saj

Gjykata e Pejës ka caktuar më 28 tetor një muaj paraburgim ndaj Albert Sylajt, i dyshuar për vrasjen e ish-kunatës së tij, Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com, vrasja dyshohet se u krye në shenjë hakmarrjeje për ndalimin e vëllait të tij, Jeton Sylajt, pas denoncimit të Arlindës për dhunë në familje.

Prokuroria pretendon se, pasi viktima u kthye nga stacioni policor, Alberti hyri me sëpatë në dhomën e saj dhe e goditi disa herë, duke i shkaktuar vdekjen.

Kërkesa për paraburgim u arsyetua me arratisjen e tij nga 25 deri më 27 tetor, rrezikun e ndikimit te dëshmitarët, fshehjes së provave dhe përsëritjes së veprës penale. Sipas Prokurorisë, ai ka katër aktgjykime dënuese të formës së prerë.

KALLXO.com raporton gjithashtu se Arlinda kishte deklaruar më herët në Polici se Alberti e kishte kërcënuar me fjalët: “Largomu, largomu se t’mys”.