E fundit/ Zbulohen detaje të reja nga përleshja mes “Cobrës” dhe “Italianit”

Sipas burimeve të Sinjalit, Dibran Hoxhaj, i njohur si “Cobra”, dyshohet se ka sulmuar fizikisht Andi Pajazitin, të njohur si “Italiani”, në Burgun e Sigurisë së Lartë.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës konfirmon se më 07.11.2026, në Burgun e Sigurisë së Lartë, ka ndodhur një incident në mes të dy të dënuarve. Pas incidentit, të dy të dënuarit janë trajtuar nga stafi shëndetësor i burgut, në përputhje me procedurat standarde që zbatohen në raste të tilla. Ndaj të dënuarve janë ndërmarrë masa disiplinore, ndërsa rasti është duke u hetuar edhe nga Policia e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues për Sinjalin.

Gjykata Themelore në Prishtinë i shqiptoi Hoxhajt një dënim unik prej 24 vjetësh burgim për vrasjen e një shtetasi të Shqipërisë më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren, si dhe për armëmbajtje pa leje.

Pajaziti u lirua nga akuza për vrasjen e Kastriot Ramadanit në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, pasi gjykatësi Eroll Gashi konstatoi se kishte vepruar në vetëmbrojtje. Ai u dënua me dy vjet burgim për mbajtje të paautorizuar të armës.