Veprimtari shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, ka bërë të ditur se është takuar me kryeministrin Albin Kurti dhe delegacionin e Qeverisë së Kosovës, gjatë qëndrimit të tyre në New York.
Në takim, sipas Bajraktarit, morën pjesë edhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, dhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.
Bajraktari tha se gjatë takimit u diskutua për situatën në Kosovë, sfidat dhe prioritetet e vendit, nevojën për institucione funksionale, Gjykatën Speciale në Hagë, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, zhvillimin ekonomik dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.
Ai theksoi se me Kurtin u pajtuan që Kosova duhet të vazhdojë angazhimin në Washington, përmes Shtëpisë së Bardhë, Departamentit të Shtetit dhe Kongresit Amerikan.
“Washingtoni është çelësi për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe garanca e vetme për të ardhmen dhe sigurinë e Kosovës dhe mbarë shqiptarëve në Ballkan”, ka shkruar Bajraktari.