Kush është shqiptari që u bë i preferuari i propagandës ruse? Gazeta finlandeze zbardh historinë

Agjencitë shtetërore ruse RIA Novosti dhe TASS e prezantojnë Armando Memën si politikan finlandez. Gazeta finlandeze Helsingin Sanomat raportoi më 8 nëntor se RIA Novosti e citon pothuajse çdo ditë, megjithëse ndikimi i tij në politikën e Finlandës është i kufizuar.

Mema, me prejardhje shqiptare dhe shtetësi italiane, jeton në Nurmijärvi, në Finlandë, ku është kualifikuar si hidraulik. Ai është pjesë e Aleancës së Lirisë (Vapauden liitto), një parti pa përfaqësim në Parlamentin finlandez. Sipas gazetës italiane Open, Mema mori 99 vota në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në vitin 2024.

Mema ka kritikuar ndihmën perëndimore për Ukrainën dhe politikën e NATO-s ndaj Rusisë. Sipas Helsingin Sanomat, qëndrimet e tij zakonisht përputhen me ato të Kremlinit. “Unë jam gjithmonë në anën e paqes”, i tha Mema gazetës finlandeze.